Quajti të çmendur presidentin rus, Macron: Trump po fillon të kuptojë gënjeshtrat e Putin për Ukrainën
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Donald Trump po fillon të kuptojë gënjeshtrat e udhëheqësit rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Macron komentoi këtë gjatë vizitës së tij në Vietnam, duke iu referuar edhe deklaratave të fundit të Trump, i cili e quajti Putinin “të çmendur” pas sulmeve ajrore ruse në Ukrainë.
Macron shprehu shpresën që zemërimi i Trump ndaj Putinit të shndërrohet në veprim konkret.
Pas sulmit ajror masiv ndaj Ukrainës mbrëmjen e të shtunës, ku u vranë 12 persona, presidenti amerikan Donald Trump duket se po humbet durimin me presidentin rus Vladimir Putin. Në një reagim në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump tha se nuk është i kënaqur me sjelljen e Putinit dhe e cilësoi atë “të çmendur tërësisht”.
“Ai është çmendur tërësisht. Po vret njerëz pa asnjë nevojë, dhe nuk po flas vetëm për ushtarët. Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por atij i ka ndodhur diçka. Gjithmonë e kam thënë se ai dëshiron gjithë Ukrainën, jo vetëm pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po rezulton të jetë e vërtetë, por nëse e bën këtë, do të çojë në rënien e Rusisë”, shkroi Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve amerikanë, duke shtuar se po shqyrton mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. “Nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit. E njoh prej kohësh, gjithmonë kam shkuar mirë me të. Por ai po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz, kjo nuk më pëlqen aspak”, tha Trump.
Natën e së shtunës, Rusia kreu sulmin më të madh ajror brenda një nate të vetme në Ukrainë që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Ukraina raportoi se forcat ruse lëshuan 367 dronë dhe raketa, duke shkaktuar vdekjen e 12 personave dhe dëme të mëdha materiale. Ky sulm masiv ka theksuar edhe më shumë tensionet ndërkombëtare dhe ka nxitur reagime të forta si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga liderët evropianë.