Qipro në ethet e spiunazhit! Kapet agjenti azer i Iranit me arsenal për sulme terroriste, pse ishulli është qendra e lojërave të fshehta në Mesdhe!
Nga plazhet e Limasolit deri tek “Foinikoudes” e Larnakës dhe portat e bazave britanike në Akrotiri, Qipro nuk ka qenë kurrë thjesht një destinacion turistik me estetikë të lartë.
Ka qenë (dhe mbetet) një fushë veprimi për spiunët dhe një arenë beteje për shërbimet e inteligjencës. Herë shërbente si qendër lehtësimi dhe herë si objektiv. Arrestimi i azerit që u vendos sot në paraburgim për spiunazh në favor të Iranit dhe veprimtari të mundshme terroriste në territorin qipriot, vjen të shtohet në një sërë rastesh që tregojnë se Qipro ndodhet në qendër të lojës së fshehtë të rivaliteteve të Lindjes së Mesme.
Azeri i arrestuar dyshohet se është agjent i shërbimeve sekrete të Iranit dhe hyrja e tij në Qipro është lehtësuar përmes Turqisë dhe pjesës së pushtuar të ishullit.
Ai duket se vepronte si një “ujk i vetmuar”, duke ndjekur për një kohë të gjatë aktivitetin në bazën britanike të Akrotirit, ku ndodhen avionë të RAF-it.
Gjatë kontrollit në apartamentin e marrë me qira iu gjetën pajisje të plota spiunazhi:
-Skanera të frekuencës së lartë (RF scanners)
-Kamera me aftësi xhirimi natën
-Pajisje për përdorimin e dronëve për mbikëqyrje
-Laptop me programe të specializuara për deshifrime
-Pajisje të lëvizshme GPS me akses në të dhëna të instalimeve ushtarake
Sipas burimeve të Protothema.gr, skenari që po shqyrtojnë autoritetet qipriote lidhet me përgatitje të një akti terrorist kundër objektivave ushtarakë dhe diplomatikë izraelitë, britanikë ose të tjerë me interesa perëndimore.
Në zbulimin dhe marrjen në pyetje të të dyshuarit kanë ndihmuar MI6 britanik dhe Mossad izraelit. Aktiviteti i tij ishte vënë nën mbikëqyrje javët e fundit, ku regjistroheshin lëvizjet e tij pranë bazave britanike si dhe pranë bazës ajrore “Andreas Papandreou” në Pafos, ku ndodhen avionë transportues amerikanë dhe të vendeve të tjera perëndimore.
Historiku i spiunazhit në Qipro
-Qershor 2023: U zbulua një grup iranianësh në Qipro që planifikonte sulme kundër izraelitëve në Limasol. Plani u prish në momentet e fundit falë informacioneve nga Mossad në bashkëpunim me inteligjencën qipriote. Një nga të dyshuarit kryesorë, që kishte krijuar një rrjet në pjesën e pushtuar të ishullit, u rrëmbye nga Irani nga agjentët izraelitë. Plani kishte si synim vrasjen e biznesmenëve, turistëve dhe diplomatëve izraelitë me armë të futura fshehurazi në ishull.
-Dhjetor 2023: Dy iranianë me status refugjati politik u arrestuan ndërsa ndiqnin lëvizjet e izraelitëve në Nikosia, duke mbajtur shënime, foto dhe harta të objektivave. Informacionet e tyre përcilleshin përmes aplikacioneve të komunikimit të koduar dhe merrnin urdhra nga persona të lidhur drejtpërdrejt me Gardën Revolucionare të Iranit.
-Maj 2015: Në Larnaka u gjet një depo me 8.5 ton nitrat amoniaku, material për prodhim bombash, falë informacioneve nga Mossad dhe CIA. I dyshuari me origjinë libaneze dhe lidhje me Hezbollah kishte hyrë me dokumente të falsifikuara dhe përgatitej për sulme kundër objektivave izraelitë në Europë, duke e përdorur Qipron si stacion për magazinim dhe transport. Pas zbulimit, BE përfshiu krahun politik të Hezbollah në listën e organizatave terroriste.
-2021: U arrestua një azer me pasaportë ruse që punonte për shërbimet sekrete iraniane dhe planifikonte vrasje të izraelitëve, përfshirë miliarderin Teddy Sagi. Ai kishte në zotërim harta, foto, armë dhe plane lëvizjeje.
-2012: Rasti i parë i njohur ligjërisht i spiunazhit të Hezbollah në Europë, ku u arrestua në Limassol një shtetas suedez me origjinë libaneze, Hossam Taleb Yaakoub, ndërsa ndiqte autobusë turistikë dhe hotele izraelite për të përgatitur sulme. U dënua me 4 vite burg.
Qipro, për shkak të pozicionit të saj gjeografik dhe pranisë ushtarake e diplomatike të Izraelit, SHBA dhe Britanisë, mbetet një fushë aktive për agjentë të Hezbollah, Gardës Revolucionare të Iranit dhe organizatave të tjera të lidhura me Teheranin.
Autoritetet qipriote në bashkëpunim kryesisht me Mossad kanë arritur deri tani të parandalojnë sulme të mëdha, por arrestimet tregojnë se në ishull zhvillohet një luftë e fshehtë mes spiunëve dhe terroristëve.