Qeveria shqiptare krijon task-forcë për zbatimin e protokollit me Italinë për migracionin

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për ngritjen e një task-force të posaçme që do të angazhohet për zbatimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit dhe të marrëveshjes zbatuese të tij.

Ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 20/2024, “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”. Vendimi është propozuar nga ministri i Brendshëm dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave.