Qeveria shqiptare i jep statusin “investitor strategjik” Jared Kushner, planifikohet resort luksoz në Sazan me vlerë 1.4 miliardë euro
Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka marrë statusin e “investitorit strategjik” nga qeveria shqiptare për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u miratua pas plotësimit të kritereve të përcaktuara në legjislacionin për investimet strategjike.
Sipas qeverisë, projekti i quajtur “Resort Turistik Ishulli i Sazanit” përfaqëson një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 562 hektarësh, nga të cilat 45 hektarë do të ndërtohen. Investimi pritet të krijojë 1000 vende pune gjatë fazave të ndërtimit dhe operimit.
Ky vendim ka tërhequr vëmendje për shkak të lidhjeve të Kushner me Donald Trump dhe financimit të kompanisë së tij nga një fond prej 2 miliardë dollarësh, ku pjesa më e madhe vjen nga Arabia Saudite. Përveç projektit në Sazan, Kushner planifikon edhe zhvillimin e një resorti me vila në Zvërnec dhe ndërtimin e qendrës së Beogradit me hotele shumëkatëshe.
Ky investim ka nxitur diskutime dhe kritika nga mediat e huaja, të cilat vënë theksin te lidhjet politike dhe financiare të kompanisë së Kushner. Ndërkohë, qeveria shqiptare e sheh projektin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në vend.