Qeveria shpall të dielën, dite zie kombëtare
Lajmin për shqiptarë mes viktimave e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama që publikoi vendimin e qeverisë për të shpallur të dielën e 5 marsit, ditë zie në vendin tonë.
VENDIMI
“Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e diel, datë 5.3.2023, në nderim të viktimave, si pasojë e aksidentit tragjik hekurudhor që ndodhi në Republikën e Greqisë në datën 28.2.2023 ku humbën jetën një numër i madh qytetarësh të vendit fqinj, ndër të cilët edhe disa shqiptarë”.
Këtë ditë flamuri do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore. Kryeministri Rama thotë se tragjedia e Greqisë është edhe jona.
EDI RAMA :“Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin”.
Bilanci i konfirmuar i viktimave të kësaj tragjedie është thelluar tashmë në 57 pasi të tjerë trupa të pajetë u nxorën nga mbetjet e trenave. Ekspertët kanë nisur kryerjen e testeve të ADN-së për të bërë identifikimin e të gjitha viktimave.
Ndërkaq, tragjedia rezulton të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor. Përgjegjësi i turnit, një 59-vjeçar që u arrestua të martën pranoi përpara hetuesve se kishte harruar të aktivizonte ndërruesen e binarëve. Ai tha se e kuptoi me shumë vonesë që dy trenat lëviznin në drejtime të kundërta në të njejtin binar dhe se nuk pati kohë të korrigjonte gabimin.