Qeveria miraton Projektbuxhetin 2024, shtatë miliardë euro për shpenzimet publike


Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte Projektbuxhetin 2024, ku caktohen 7 miliardë euro për shpenzimet publike.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, në daljen për mediat, u shpreh se sipas projeksioneve, parashikohet një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm.
Qeveria synon që ekonomia e vendit tonë të mbetet një nga më të qëndrueshmet në rajon, Shqipëria të jetë një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit dhe të ofrohet punësim cilësor me pagat më të larta në rajon.

“Siç vlerësoi sot edhe FMN, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, duke hyrë tashmë në një fazë te re. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në projeksionet tona, ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm, një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit.
Ambicia jonë është që siç kemi qenë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon”.