Qeveria miraton ligjin e ri për inspektimet! Ristrukturohen 14 institucione, përfshirë AKU dhe Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor
16 July, 2025
Qeveria ka adoptuar një vendim të rëndësishëm që synon riorganizimin e institucioneve shtetërore që kryejnë funksione inspektuese.
Sipas këtij vendimi, 14 institucione do të nënshtrohen ristrukturimit në juridiksionin e pushtetit qendror me qëllim unifikimin e procedurave inspektuese, thjeshtimin e funksioneve dhe shmangien e mbivendosjeve.
Ndërmjet institucioneve të përfshira janë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Inspektoriati Shëndetësor, Inspektoriati i Punës, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia e Barnave, Inspektoriati i Trashëgimisë Kulturore, etj. Gjithashtu, funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të transferohen në inspektorate të reja të përcaktuara sipas fushave përkatëse që mbulojnë ministritë.
Me këtë riorganizim, qeveria synon një administratë më efikase dhe një klimë më të favorshme për sipërmarrje, duke thjeshtuar procedurat dhe duke eliminuar mbivendosjet. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE QË RIORGANIZOHEN SIPAS LIGJIT PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Institucionet me funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore, në fushën e zbatimit të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të cilat i nënshtrohen procesit të riorganizimit, janë, si më poshtë vijon:
a) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
b) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
c) Agjencia Kombëtare e Pyjeve;
ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
d) Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve;
dh) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;
ë) Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës;
f) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
g) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore;
gj) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
h) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
i) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
j) Instituti i Shëndetit Publik.
2. Funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit transferohen në inspektoratet e reja qendrore, që do të krijohen sipas fushave të inspektimit, që mbulojnë ministritë përgjegjëse dhe sipas parimeve të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2 për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.