Qeveria miraton fond shtesë prej 150 milionë lekësh për fushatën e partive politike në zgjedhjet e 11 majit

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond shtesë prej 150 milionë lekësh për të mbështetur financiarisht partitë politike që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Financave.

Sipas dokumentit zyrtar, fondi do të përdoret në programin “Mbështetje për partitë politike”, dhe do të shpërndahet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tek subjektet zgjedhore pjesëmarrëse. Efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, i parashikuar për raste të paparashikuara.

Vendimi bazohet në Kushtetutë, Kodin Zgjedhor dhe ligjet për menaxhimin e buxhetit, dhe hyn në fuqi menjëherë, ndërsa pritet të botohet në Fletoren Zyrtare. Ministria e Financave dhe KQZ janë ngarkuar për zbatimin e tij.