Qeveria shqiptare kaloi një akt normativ këtë të mërkurë duke miratuar paketën financiare që shlyen të gjitha detyrimet që kanë pasur ndër vite 3 komplekse të industrisë ushtarake në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës.
“Në aktin normativ kemi një lajm shumë të mirë për industrinë ushtarake. Është miratuar me të njëjtin akt normativ një paketë financiare e rëndësishme e cila siguron tre elementë. E para shlyerjen e të gjitha detyrimeve që kanë pasur ndër vite 3 komplekset të industrisë ushtarake shqiptare në Poliçan, në Gramsh dhe në Mjekës. I japim fund një kalvari shumë të gjatë me detyrime të prapambetura, të pashlyera ndaj punonjësve, ish-punonjësve, njerëzve që kanë një kontribut të çmuar në industrinë ushtarake. Sikurse i japim fund një kalvari të gjatë që këto kompani shtetërore të kishin ndaj bashkive”, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Ministri tha se akti normativ jep financimin e nevojshëm edhe të krijimit të kompanisë shtetërore për industrinë ushtarake.
“Ligji hyri në fuqi para pak ditësh dhe tashmë kemi dhe paketën financiare që mundëson rikrijimin, riformatimin dhe rijetëzimin e një kompanie shtetërore që do të ketë instrumentet ligjore dhe financiare për të hyrë në marrëveshje bashkëpunimit me investitorë të huaj nga vendet e NATO-s dhe vendet partnere për të rijetëzuar këtë industri të rëndësishme”, tha ai.
Duket se ekonomia shqiptare ka pasur një performancë pozitive dhe për këtë arsye janë bërë disa ndryshime edhe në buxhetin e vitit 2024.
“Kemi rishikuar buxhetin e vitit 2024 duke rritur të ardhurat e parashikuara në këtë vit në vlerën 27 miliardë Lekë”, njoftoi ministri i Financave, Petrit Malaj.
Më konkretisht janë rritur financimet shtesë të Ministrisë së Bujqësisë 500 milionë Lekë që të mbështetet skema e granteve të fermerëve.250 milionë Lekë shtesë do të shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të financohen projekte të shërbimit të kujdesit parësor dhe dytësor.
Rritje financime edhe për Ministrinë e Brendshme në shifrën 1.3 miliardë Lekë për kompensimin ushqimor të policisë krahas orëve shtesë të punës që do të përfitojnë në kuadër të sezonit turistik.
“Kemi rritur fondet më Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në vlerën e 300 milionë Lekë për shpërblimin e sportivëve të cilët kanë arritur rezultate të mira sportive. Për ujësjellës kanalizime është rritur mbështetja në 2 miliard Lekë”, tha ministri.
Malaj paralajmëroi se do të vijohet për financuar në infrastrukturën kombëtare, lokale dhe rurale dhe në atë infrastrukturë që luan një rol kyç në ekonominë e vendit.