Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për nder të viktimave të tragjedisë në Koçan, ku një zjarr shkatërrues në një diskotekë shkaktoi vdekjen e të paktën 59 personave dhe plagosjen e 155 të tjerëve, 18 prej të cilëve janë në gjendje kritike. Vendimi do të miratohet në seancën e qeverisë që do të mbahet sot në orën 16:00.
Përveç shpalljes së zisë kombëtare, qeveria maqedonase ka urdhëruar një inspektim urgjent dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha lokalet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa, për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë, edhe Serbia ka vendosur të shpallë ditë zie më 18 mars për nder të viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike. Vendimi u mor me propozim të presidentit Aleksandar Vuçiç, pas një diskutimi me kryeministrin Millosh Vuçeviç.
Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti të një grupi të njohur maqedonas, duke shkaktuar panik mes qindra të pranishmëve. Shumica e të plagosurve po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit, ndërsa të lënduarit në gjendje më të rëndë janë dërguar në spitale të tjera në Shkup dhe Shtip. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie që ka tronditur rajonin.