Qeveria financoi më shumë se gjysmën e huamarrjes së brendshme në tremujorin e parë të vitit
Kërkesa e lartë e investitorëve për instrumentet e borxhit publik dhe ulja e yield-eve e ka shtyrë qeverinë shqiptare të marrë më shumë se gjysmën e huamarrjes vjetore të planifikuar në tremujorin e parë të vitit.
Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, huamarrja në tregun e brendshëm të titujve të qeverisë u rrit me 12.7 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit, ndërkohë që e gjithë shtesa e huamarrjes për vitin kalendarik 2023 parashikohet të jetë 25 miliardë lekë.
Shtesa e huamarrjes konsistoi në masën më të madhe në bono thesari të maturitetit 12-mujor. Krahas tyre, huamarrja u shtua edhe me instrumente afatgjata, 10 dhe 15-vjeçare, duke kompensuar maturimet e larta kryesisht në obligacione 2 dhe 3-vjeçare.
Aktorët e tregut kanë shfaqur kërkesë relativisht të lartë për të investuar në tituj qeveritarë, sidomos në bono thesari 1-vjeçare. Përballë kësaj kërkese, qeveria rishikoi planin e huamarrjes, duke e rritur atë në 12.7 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë të planifikuar për tremujorin e parë.
Individët financuan pjesën më të madhe të kësaj shtese, rreth 76%, në vazhdën e një interesi të shtuar për të investuar në tituj qeveritarë, që prej muajit tetor 2022.
Shtimi që pësoi portofoli i titujve i mbajtur prej individëve, në tremujorin e parë të vitit 2023 e atë paraardhës, i diktuar nga rritja e normave të interesit, kompensoi tkurrjen e pësuar në tre tremujorët e parë të vitit 2022.
Ndërkohë, huamarrja neto në tregun e huaj për tre muajt e parë të vitit rezultoi rreth -6 miliardë lekë, si pasojë e shlyerjeve të borxhit të huaj në masë më të madhe sesa prurjet në këtë periudhë.
Zhvillimet në huamarrjen e qeverisë, së bashku me vlerat e suficitit fiskal të kësaj periudhe, u faktorizuan në teprica likuiditeti të disponueshme për t’u shpenzuar në muajt pasardhës. Një tendencë e tillë është tipike në menaxhimin buxhetor të qeverisë shqiptare.
Pavarësisht se pjesa më e madhe e deficitit në përgjithësi shpenzohet në tremujorin e fundit të vitit, huamarrja sigurohet në mënyrë të shpërndarë gjatë gjithë vitit. Shpeshherë, huamarrja tenton të shfrytëzojë konjukturat e favorshme të tregut, siç po ndodh në pjesën e parë të këtij viti.
Likuiditeti i bollshëm në treg dhe tendenca rënëse e yield-eve po shfrytëzohet nga qeveria për të rritur huamarrjen përtej parashikimeve fillestare. Në shumë prej ankandeve, shuma e tërhequr nga qeveria ka qenë më e lartë se ajo e shpallur për financim paraprakisht.
Kjo strategji mban parasysh një rritje të pritshme të normave të interesit gjatë muajve në vazhdim. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se arritja e objektivit të inflacionit do të kërkojë rritje të mëtejshme të normave.
Banka qendrore ka ndjekur një linjë më të zbutur në 6-mujorin e fundit, me një rritje të vetme të normës bazë të interesit.
Kjo qasje është argumentuar me rënien e inflacionit dhe me lekun e fortë në kursin e këmbimit valutor. Por, siç tregoi raporti i fundit i politikës monetare, presionet e brendshme inflacioniste ngelen të forta, të ilustruara nga niveli i lartë i inflacionit bazë dhe inflacionit bazë neto./Monitor.