Qeveria e re në Kosovë, Abdixhiku i përgjigjet ftesës së Albin Kurtit: Kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për një takim konsultativ me qëllim të konsultimit për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të qartë se do t’i qëndrojnë besnik qëndrimit të tyre që të qëndrojnë në opozitë.

“Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme. Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë”, ka shkruar Abdixhiku.

Prandaj, ka shkruar ai, secili, veçanërisht ata me pushtet, duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin.

“Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë”.

Kreu i LDK-së, ka thënë se “duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh”.

“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”, shkruan ndër të tjera ai.