Qëlloi mjeken me pistoletë me gogla dhe përplasi 3 makina policie gjatë arratisjes, arrestohet 42-vjeçari – çfarë iu gjet në banesë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Enis Vrapin, 42 vjeç, pasi dyshohet se ka qëlluar një mjeke të QSUT-së me një pistoletë lodër që funksionon me gogla, dhe më pas ka tentuar të largohet me automjetin e tij, duke përplasur tre makina të policisë që i dolën përpara për ta ndaluar.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, 23 maj, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku sipas njoftimit të policisë, Vrapi ka pasur një konflikt me mjeken dhe ka përdorur pistoletën lodër. Pas ndërhyrjes së shërbimit të sigurisë dhe më pas të policisë, ai ka kundërshtuar me dhunë një punonjës të SHPSF-së dhe është larguar me makinën e tij, duke përplasur automjetet e efektivëve që e ndoqën.

Si pasojë e përplasjes me mjetin e tij, dy punonjës policie të qarkullimit rrugor u dëmtuan lehtë.

Gjatë kontrollit në banesën dhe në automjetin e tij u gjetën sasi municioni për armë zjarri, si edhe armë gjahu, armë të ftohta dhe pjesë përbërëse armësh, që u sekuestruan nga policia si prova materiale.