Qëlloi me armë zjarri brenda klubit të natës, policia identifikon autorin dhe e shpall në kërkim

Një person është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës pasi ka qëlluar me armë zjarri në ajër brenda ambienteve të një klubi nate në kryeqytet

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2025, brenda ambienteve të një klubi në rrugën “Liman Kaba”.

NJOFTIMI I POLICISË:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjeherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.

Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamërave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.

Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë penale të autorit të dyshuar.