Qëlloi me armë ndaj patrullës së ‘Shqiponjave’ duke plagosur një efektiv, Balla: Autorit i bëj thirrje të dorëzohet

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se gjendja shëndetësore e efektivit të repartit “Shqiponja” Edlir Alleshi që mbeti i plagosur me armë gjatë ndjekjes së një të dyshuari është përmirësuar. Balla tha se autori është identifikuar dhe i bëri thirrje që të dorëzohet.

Balla viziton efektivin e plagosur tek Trauma: Guximi për të goditur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar mbrëmjen e sotme gjendjen e punonjësit të plagosur të forcave “Shqiponja”, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale e po mjekohet në Spitalin e Traumës.

Efektivi E.A. u plagos me armë zjarri mbrëmjen e sotme, teksa ishte në krye të detyrës duke ushtruar kontrolle në zonën e Kinostudios, në Tiranë.

Ministri Balla tha pasi pa nga afër punonjësin e plagosur se rreziku për jetën ka kaluar, por po mbahet nën monitorimin e mjekëve.

“Një gjë është e sigurt se ky guxim i madh për të goditur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit. Do të marrë përgjigjen më të fortë. Thirrja ime për personin, apo familjarë të tij, se dua ta ndaj me mediat se personi është identifikuar, është të dorëzohet menjëherë”, apeloi ministri i Brendshëm.

Strukturat e Policisë së kryeqytetit janë vënë në ndjekje të autorit që ngriti dorë mbi punonjësin me uniformë, për ta përballur atë me drejtësinë.