Një person i identifikuar si Klajdi Buza është arrestuar mbrëmjen e sotme nga Policia e Tiranës, pasi ishte i dyshuar për mbajtje të armëve. Burime nga policia bëjnë me dije se Buza ishte në afërsi të Rinasit kur uniformat blu u përpoqën ta ndalonin.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, ai ka qëlluar me armë në drejtim të tyre, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Pas disa minutash ndjekje, policia arriti ta neutralizojë dhe ta vërë në pranga.
Klajdi Buza rezulton një emër i njohur për autoritetet. Në vitin 2022 ai ishte arrestuar në Krujë pasi lëvizte i armatosur. Ndërsa në vitin 2015, denoncoi vjedhjen e makinës së tij tip BMW X5, por policia e gjeti të braktisur në vendin e quajtur Ura e Gjolës, në Fushë-Krujë.
Aktualisht, policia po heton rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Qëlloi drejt Punonjësve të Policisë, gjatë një aksioni policor për kapjen e tij, vihet në pranga 34-vjeçari.
34-vjeçari me precendent kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion luftarak.
Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Tiranë pasi kanë marrë informacion për një shtetas i cili mbante armë zjarri në subjektin e tij kanë organizuar punën me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë ligjore.
Gjatë ndalimit të shërbimeve të Policisë në subjektin e tij privat në Rinas, shtetasi i identifikuar me inicialet K. B, ka qëlluar në drejtim të Policisë nga brenda subjektit të tij.
Nga të shtënat nuk ka patur të lënduar.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe shoqërimin për në ambientet e DVP Tiranë.
Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë bërë arrestimin e shtetasit K. B., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.