Qarkullonte me armë zjarri, 12-vjeçari përfundon në polici! Nën hetim edhe babai i të miturit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kavajë, ku një 12-vjeçar është shoqëruar nga policia pasi gjatë kontrollit të tij është gjetur një pistoletë me municion luftarak. Policia ka bërë të mundur lokalizimin e të miturit, banor i fshatit Luz i Vogël, pas një informacioni të siguruar nga qytetarët.

Gjatë kontrollit, i mituri mbante me vete një armë zjarri pistoletë dhe një karikator me fishekë. Si rezultat i veprimeve të tij, u shoqërua dhe babai i të miturit, i cili është proceduar për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Policia po bashkëpunon me Prokurorinë për të zbardhur origjinën e armës dhe për të hetuar mundësinë e përfshirjes së të miturit dhe babait të tij në ngjarje të tjera të dyshuara. Pavarësisht veprës së rëndë, për shkak të moshës së tij, 12-vjeçari është lënë i lirë, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale.