Qarku i Tiranës/ PS frenohet te deputeti i 19-të, PD në garë me Shehajn për mandatin e 14-të

Në qarkun e Tiranës po numërohen kutitë e fundit të votimit, ku deri tani janë përpunuar 1106 nga 1282 kuti në total. Partia Socialiste ka siguruar 175,386 vota ose 47.66%, duke garantuar 19 mandate, një më shumë se katër vite më parë.

Ndërkohë, koalicioni opozitar PD-ASHM ka marrë deri tani 129,758 vota, që përbëjnë 35.26% të totalit, duke siguruar 13 mandate. Sipas rezultateve të deritanishme, PD po përballet me një betejë për të mbajtur mandatin e 14-të, i cili rrezikohet nga Agron Shehaj dhe partia e tij “Mundësia”, që ka grumbulluar 18,302 vota ose 4.97%.

“Mundësia” ka siguruar tashmë një mandat në Tiranë dhe për momentin është në konkurrencë të drejtpërdrejtë me PD-në për të dytin.

Forca e katërt në këtë qark është Partia Socialdemokrate (PSD) me 3.49% të votave, e ndjekur nga koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” me 3.04%, të cilat kanë siguruar nga një mandat secila. Ndërkohë, Koalicioni Euroatlantik ka marrë 1.88% të votave, por nuk ka përfaqësim në Kuvend.