Putini shmang bisedimet për paqe, kryeministri britanik Starmer reagon për herë të parë; Rama: Asnjë lider rus nuk ka ardhur, nuk na mungon
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri shqiptar Edi Rama reaguan pas refuzimit të presidentit rus Vladimir Putin për t’u përfshirë në bisedimet për armëpushim.
Starmer akuzoi Putinin si pengesë kryesore të paqes, ndërsa Rama theksoi se asnjë lider rus nuk ka vizituar Shqipërinë që nga ndryshimi i regjimit dhe se vendi do të mbetet në krah të Ukrainës, duke u angazhuar për mbrojtjen e vlerave europiane dhe kërkimin e paqes.
“Ajo që ka ndodhur sot është një provë se është Putini ai që po i tërheq gjërat zvarrë dhe po shkakton vonesa për një armëpushim. Prej disa muajsh Ukraina është e qartë për armëpushim. Putini ka qenë agresori dhe po pengon paqen, kjo është Rusia dhe ai është Putini. Kjo është një provë e asaj që kam thënë është Putini ai që po i tërheq gjërat zvarrë. Duhet të kemi sanksione teksa Putini vijon në këtë mënyrë agresionin”, tha Starmer.
“Më duhet të ju informoj se jeni në një vend që nga ndryshimi regjimit, prej një diktature në një demokraci, asnjë president a kryeministër rus nuk ka vënë këmbë këtu dhe asnjë prej këtej nuk ka fluturuar në rusi. Nuk na merr malli as nuk duam ta ndryshojmë por kjo është një histori e hershme që lidhet me historikun tonë me ish-Bashkimin Sovjetik dhe historikun tonë. Ne kemi qenë nën krahun e Ukrainës dhe do të vijojmë ta bëjmë.
Nuk duhet të harrojmë se jemi të bekuar që kemi lindur në kontinentin e iluminizmit dhe në një hapësirë të njerëzimit, ku lindi drita e paqes së përhershme. Ne do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që te kemi fuqinë për të mbrojtur vlerat tona dhe kurrë nuk duhet të heqim dorë na kërkimi i paqes. Ndonjëherë duket e padrejtë, por është natyrë e të qenurit europiane dhe të qenët në anën e njerëzimit jo të barbarëve”, u shpreh Rama.