Putin s’do ndalet veç me Ukrainën? Ish-shefi i CIA-s: Ky vend është shënjestra e radhës, NATO në alarm
Nëse Vladimir Putin del i suksesshëm në pushtimin e Ukrainës, vendi i radhës që mund të përballet me një ofensivë ruse do të jetë një shtet anëtar i NATO-s – dhe më i rrezikuari ndër ta është Lituania. Paralajmërimi vjen nga David Petraeus, ish-shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) dhe një nga gjeneralët më të njohur amerikanë të kohëve moderne.
Duke folur në organizatën kërkimore britanike “Policy Exchange” në Londër, Petraeus deklaroi se Rusia mund të ndërmarrë një inkursion në Lituani për të testuar vendosmërinë e Perëndimit, ose edhe si një hap të parë drejt një agresioni më të gjerë në Evropë.
Sipas tij, nëse Perëndimi nuk reagon fuqishëm ndaj agresionit rus në Ukrainë, mund të përballet më vonë me një kërcënim shumë më të madh brenda kufijve të NATO-s.
“Rusia do të tentojë të provojë vullnetin dhe gatishmërinë e NATO-s, dhe Lituania mund të jetë objektivi i parë”, tha Petraeus. Ai shtoi se një inkursion i tillë mund të ketë karakter testues, por edhe të shërbejë si pararendës për një fushatë më të gjerë ushtarake.
Petraeus kritikoi gjithashtu qasjen e administratës së presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë se i ka dhënë disa herë “shanse të dyta” Vladimir Putinit, duke e inkurajuar sjelljen agresive të Kremlinit. Nga ana tjetër, ai kritikoi edhe paraardhësin e Trump, presidentin Joe Biden, për vonesat në dërgimin e armëve të rëndësishme për ushtrinë ukrainase.
“Vendimet janë vonuar, si për dërgimin e tankeve M1 Abrams, ashtu edhe për avionët F-16. Edhe një i verbër natën do ta kuptonte se nevojiteshin që herët,” – tha ai.
Gjenerali në pension propozoi që Britania e Madhe të tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e municioneve thërrmuese në fushëbetejë, duke theksuar se ato armë mund të shërbejnë si një mjet pengues i rëndësishëm në luftën kundër trupave ruse.