Putin pas takimit me Araghchi: SHBA u provokua nga Izraeli, Rusia mbështet popullin iranian
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të hënën në Moskë një takim të rëndësishëm me Ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.
Në deklaratën e tij pas takimit, Putin dënoi ashpër aksionin ushtarak të SHBA-së, duke e cilësuar atë si një akt agresioni pa asnjë bazë ligjore apo justifikim. Ai theksoi se Rusia është e vendosur të mbështesë popullin iranian në këtë periudhë të vështirë.
“Ky akt agresioni kundër Iranit nuk ka bazë dhe asnjë justifikim. Ne kemi marrëdhënie të gjata, miqësore dhe të besueshme me Iranin dhe po bëjmë përpjekje për të mbështetur popullin iranian. Jemi të bindur se SHBA u provokua nga Izraeli për të nisur këtë sulm,” deklaroi Putin.
Presidenti rus tha se ka zhvilluar biseda telefonike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed Al Nahyan dhe Presidentin iranian Masoud Pezeshkian, për të diskutuar mbi situatën e krijuar, ndonëse Kremlini nuk ka bërë publike detaje mbi kohën e këtyre bisedave.
Nga ana e tij, Araghchi falënderoi Rusinë për mbështetjen, duke deklaruar: “Rusia është në anën e duhur të historisë”. Ai nënvizoi se marrëdhëniet mes Teheranit dhe Moskës janë forcuar ndjeshëm në vitet e fundit, sidomos përballë sfidave të përbashkëta.