Putin: Pajtimi me Ukrainën është çështje kohe, shpresoj të mos përdoren armët bërthamore
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se pajtimi mes Rusisë dhe Ukrainës është një proces i pashmangshëm dhe “çështje kohe”, pavarësisht luftës që vazhdon prej më shumë se dy vitesh.
“Më duket se kjo është e pashmangshme pavarësisht tragjedisë që po përjetojmë aktualisht”, u shpreh Putin, duke shfaqur bindjen se një moment normalizimi me vendin fqinj do të vijë në të ardhmen.
Kreu i Kremlinit nënvizoi se Rusia ka mjetet ushtarake për ta çuar luftën “në përfundimin e saj logjik, me rezultatin e nevojshëm për Rusinë”.
I pyetur për rrezikun e armëve bërthamore, Putin tha se përdorimi i tyre “nuk ka qenë i nevojshëm deri më tani” dhe shprehu shpresën që “nuk do të jetë i nevojshëm as në të ardhmen”.
Ndërkohë, Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, si dhe ka pretendime territoriale mbi zona të mëdha të vendit fqinj. Para nisjes së pushtimit, Putin kishte vënë në pikëpyetje edhe vetë shtetësinë e Ukrainës, duke i quajtur ukrainasit si pjesë të “popullit rus”.
Që prej fillimit të luftës, dhjetëra mijëra ukrainas kanë humbur jetën, përfshirë shumë civilë të pafajshëm, viktima të bombardimeve masive në zonat e banuara.