“Putin nuk do paqe”/ Von der Leyen nga Tirana: Duhet më shumë presion ndaj Rusisë, ja çfarë përmban paketa e re e sanksioneve
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, ka bërë thirrje për rritjen e presionit ndaj Rusisë për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
“Ne kërkojmë një armëpushim pa kushte. Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, është e gatshme për paqe. Por fakti që presidenti Zelensky ishte i gatshëm të takohej dhe nga ana tjetër nuk pati asnjë reagim nga Kremlini, tregon qartë se Putin nuk e dëshiron paqen,” deklaroi Von der Leyen.
Ajo njoftoi se BE po përgatit një paketë të re sanksionesh që do të fokusohet në goditjen e sektorëve strategjikë të ekonomisë ruse, përfshirë energjinë dhe lëvizshmërinë detare:
“Do të ndalojmë lëvizjen e disa anijeve të flotës ruse dhe do të ndikojmë në transportin e naftës. Duhet presion i vazhdueshëm deri në arritjen e armëpushimit,” shtoi ajo.
Von der Leyen nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për t’i bërë ballë agresionit rus dhe theksoi vendosmërinë e BE-së për të mbështetur Ukrainën deri në fund të konfliktit.