“Putin dërgon delegacion me ‘kokëboshë’”/ Zelensky: Europa duhet të bëjë më shumë presion, mbështetja e Trump vendimtare për paqen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ashpër ndaj delegacionit rus në negociatat e paqes që po zhvillohen në Turqi, duke e cilësuar atë si një grup të papërgatitur dhe të pavendosur për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për konfliktin.

“Putin dërgoi kokëboshë në takime. Ajo që shohim nga delegacioni rus është thjesht teatër. Europa duhet të veprojë dhe të bëjë presion mbi rrjetin e energjisë për të ndalur këtë agresion. Jemi të gatshëm të marrim çdo hap për t’i dhënë fund kësaj lufte,” u shpreh Zelensky.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Donald Trump në këtë proces, duke e cilësuar si thelbësore për arritjen e paqes.

“SHBA dhe presidenti Trump dëshirojnë t’i japin fund luftës dhe ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë së afërmi me ta. Mbështetja e SHBA është e domosdoshme, dhe duhet të punojmë së bashku që kjo të arrihet. Do t’ju mbaj të informuar për çdo zhvillim që do të ndodhë në Turqi,” shtoi Zelensky.