Pusteci mirëpret verën 2025 mes festës, turistëve dhe investimeve që i japin jetë perlës së Prespës
Me një atmosferë festive, në zemër të Pustecit, u çel sot zyrtarisht sezoni turistik veror 2025, në një ngjarje që mblodhi turistë vendas dhe të huaj, institucione vendore dhe aktorë të turizmit.
Prej fillimit të vitit, mbi 80 mijë vizitorë kanë zgjedhur Pustecin si destinacionin e tyre, ndërsa pritet që ky numër të rritet ndjeshëm gjatë muajve të verës, falë hapjes së plazhit të ri në Rrallnik – një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që i jep një tjetër dimension zhvillimi kësaj zone me potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe kulturor.
Në fjalën e tij ,kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, theksoi rëndësinë e këtyre investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe përmirësimin e jetës së komunitetit.
Ndërkohë, Elton Dhefto, drejtues i “Kayak Albania”, njoftoi se për të dytin vit radhazi do të organizohet Festivali i Kayakut, një aktivitet që tërheq vëmendjen e turistëve të huaj dhe promovon bukurinë unike të liqenit dhe peizazheve përreth. “Pusteci është ende i pazbuluar – një perlë natyrore që magjeps çdo vizitor”, theksoi ai.
Atmosfera festive në qendër të qytetit u shoqërua me muzikë live, valle tradicionale dhe degustim të gatimeve autentike të zonës, ku turistët patën mundësi të përjetonin mikpritjen dhe traditën lokale. “Është një vend i mrekullueshëm – natyrë, ushqim, njerëz të ngrohtë. Do të kthehem patjetër”, tha një turiste nga Australia.
Bashkia e Pustecit ka në plan edhe investime të tjera për ta bërë këtë destinacion atraktiv gjatë gjithë vitit – me plazh në verë dhe ecje malore në sezonet e tjera, duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin natyror, biodiversitetin, trashëgiminë kulturore dhe historike të zonës së Prespës.