“Pusho se po flas unë”, Berisha në Kuvend: TikTok nuk është problem, por EncroChat!
Ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar në Kuvend se aplikacioni EncroChat, i përdorur nga krimi i organizuar për komunikime të koduara, është një rrezik shumë më i madh për vendin sesa platforma TikTok, të cilën qeveria po synon ta ndalojë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i drejtoi akuza të forta mazhorancës, duke përmendur emra konkretë dhe duke sugjeruar se politikanë të lartë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, kanë pasur komunikime në EncroChat.
Berisha propozoi krijimin e një Komisioni Hetimor për të zbuluar të gjitha lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar përmes EncroChat.
“Nuk është TikTok-u rrugaçi, siç thotë Ajatollahu i Tiranës, por është EncroChat. Zbardhja e lidhjeve të politikës me krimin është një kusht i domosdoshëm. Damian, pusho se po flas unë! Se ke pasur dhe ti!” – tha Berisha, duke iu drejtuar ministrit Damian Gjiknuri.
Ai shtoi më tej: “Të krijojmë Komisionin e të Vërtetës! Edhe kryeministri ka pasur 2-3 [telefona EncroChat]!”
EncroChat ishte një rrjet i koduar komunikimi i përdorur nga krimi i organizuar për të shmangur përgjimet. Në vitin 2020, autoritetet franceze dhe holandeze e zbuluan dhe e përgjuan, duke nxjerrë në pah mijëra mesazhe që implikonin kriminelë dhe politikanë.