Punonjësi i “Banaking” humbet shikimin në sy gjatë një aksidenti në punë, shpallet në kërkim administratori i kompanisë, Trifon Murataj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin, ku një punonjës i kompanisë “Banaking” është aksidentuar në vendin e punës, duke humbur shikimin në njërin sy. Incidenti ka ndodhur më datë 18 shkurt 2025, teksa 48-vjeçari A. G., banues në Durrës, po hapte arkat e bananeve në një kontenier në Portin e Durrësit. Gjatë punës, bisturia i ka rrëshqitur nga dora dhe e ka goditur në sy, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë.

Megjithëse është dërguar me urgjencë në spital, fatkeqësisht, ai ka humbur shikimin në njërin sy.

Hetimet për incidentin nisën menjëherë nga grupi hetimor, i cili ka mbledhur provat për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Sipas burimeve zyrtare, punonjësi ishte i punësuar pa dokumentacionin përkatës dhe nuk kishte nënshkruar një kontratë që ta njihte me risqet e punës. Për këtë arsye, Inspektorati i Punës ka vendosur një gjobë të lartë ndaj kompanisë “Banaking”.

Në vijim të hetimeve, është shpallur në kërkim administratori i kompanisë, Trifon Murataj 56 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Autoritetet vijojnë punën për kapjen e tij.

Nga burime jo zyrtare, mësohet se firma “Zico” e biznesmenit Trifon Murataj ka tentuar ta dërgojë punonjësin në një spital privat, por ai nuk është pranuar. Për këtë arsye, punonjësi është transferuar me detyrim në një spital publik, çka ka vënë në dijeni edhe Policinë e Shtetit, e cila ka nisur hetimet.

Aktualisht, i dëmtuari ndodhet në Spitalin Francez në Tiranë, ku po merr kujdes të specializuar mjekësor. Ndërkohë, autoritetet ende nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar lidhur me masat e marra për zbardhjen e plotë të ngjarjes.