Pulëbardhat e Vatikanit ‘vjedhin’ vëmendjen në transmetimin global nga Kapela Sistine, qëndrojnë të qeta mbi oxhakun e konklavës

Ndërsa miliona katolikë në mbarë botën presin me emocion për të parë tymin e bardhë që shpall zgjedhjen e Papës së ri, një familje pulëbardhash në Vatikan ka tërhequr pa dashje vëmendjen gjatë transmetimit global nga Kapela Sistine.

Pulëbardha, e cila duket se ka ndërtuar folenë e saj pranë oxhakut të famshëm, u shfaq e qetë dhe plotësisht e painteresuar për ngjarjen e madhe që po ndodhte pranë saj. Ajo vazhdonte rutinën e saj të përditshme, pa u shqetësuar nga turmat e mbledhura në sheshin Shën Pjetër, të cilët prisnin sinjalin historik që përcakton të ardhmen e Kishës Katolike.

Kapela Sistine, e famshme për afresket mahnitëse të Mikelanxhelos që zbukurojnë tavanin dhe murin mbi altarin, është vendi ku mblidhet konklava për të zgjedhur Papën e ri, sa herë që selia papnore mbetet bosh.

Në një moment të pazakontë dhe simbolik, pak pas orës 20:00, një tjetër pulëbardhë dhe një zog i vogël iu bashkuan në oxhak, duke i dhuruar botës një pamje unike në njërën prej vendndodhjeve më historike të krishterimit.