Publikohet videoja tronditëse e shpërthimit të nëndetëses ‘Titan’ – momenti kur gjithçka mbaroi
BBC ka publikuar pamjet e para të momentit tragjik të shpërthimit të nëndetëses ‘Titan’, që u fundos në qershor të vitit 2023 duke marrë jetën e pesë personave gjatë një zhytjeje drejt rrënojave të Titanikut. Videoja tronditëse është regjistruar nga anija mbështetëse e ekspeditës dhe tregon çastin kur ndodhi dështimi katastrofik i strukturës së nëndetëses së kompanisë OceanGate.
Në pamje shfaqet Wendy Rush, gruaja e CEO-së së ndjerë të kompanisë, Stockton Rush, duke ndjekur komunikimet me ekuipazhin. Në sfond dëgjohet një zhurmë e rëndë metalike, pas së cilës Wendy, e frikësuar, reagon duke thënë: “Çfarë ishte ajo zhurmë?”. Ky moment rezultoi të ishte paralajmërimi i fundit. Mesazhi i fundit i marrë nga nëndetësja ishte “hodhi dy pesha”, sinjal tipik për zhytje, por që në këtë rast shënoi fundin e saj.
Pamjet janë pjesë e një dokumentari të ri të BBC-së që zbardh rrethanat e fatkeqësisë. Hetimet e Rojës Bregdetare të SHBA-së zbulojnë se trupi i nëndetëses, i ndërtuar nga fibra karboni, kishte shfaqur dëmtime që në vitin 2022 gjatë zhytjes së saj të 80-të. Oficerja Katie Williams deklaroi se “delaminimi ishte fillimi i fundit”, duke theksuar se çdo zhytje pas kësaj përbënte rrezik ekstrem.
Eksploruesi i njohur Victor Vescovo dhe ish-punonjës të kompanisë kishin paralajmëruar më herët për rreziqet serioze, duke e cilësuar nëndetësen “të ndërtuar në mënyrë të papërgjegjshme”. Mbetjet e saj, bashkë me sende personale dhe mbetje njerëzore, u gjetën më vonë në fundin e Oqeanit Atlantik, duke konfirmuar vdekjen e CEO-së Stockton Rush, eksploruesit britanik Hamish Harding, ekspertit francez Paul-Henri Nargeolet dhe biznesmenit Shahzada Dawood me të birin Suleman.
Ndërkohë, pasojat ligjore kanë nisur. Trashëgimtarja miliardere Karen Lo ka ngritur një padi prej 1 milion paundësh ndaj OceanGate për një udhëtim të anuluar në vitin 2018. Nga ana tjetër, Christine Dawood, e veja e Shahzada Dawood dhe nëna e Sulemanit, ka deklaruar për BBC se “asgjë nuk do ta bëjë të ndihet më e njëjtë pas kësaj humbjeje”.