Publikohet teza e provimit të Psikologjisë, reagon ministria e Arsimit: Procesi nuk cenon integritetin e Maturës Shtetërore
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar sot pas publikimit të tezës së provimit të Psikologjisë. Në një deklaratë zyrtare, Ministria thekson se publikimi i materialit pas nisjes së testimit nuk cenon procesin e provimit dhe nuk ndikon në integritetin e tij.
Reagimi:
Provimi i lëndëve me zgjedhje, pjesë e Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në përputhje me standardet dhe procedurat e sigurisë dhe publikimi i tezave pasi provimi ka filluar në të gjitha qendrat e testimit nuk e cënon në asnjë moment procesin.
Procesi i Maturës Shtetërore është zhvilluar me masa të shtuara sigurie, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për të garantuar barazi dhe integritet për të gjithë maturantët.
MAS është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe ka ngritur strukturat e monitorimit në terren, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë dhe të sigurt për nxënësit tanë.
Ministria falenderon të gjithë mësuesit, drejtuesit e shkollave, administratorët e provimeve për angazhimin në mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore.