Publikohet renditja, zbulohet klubi më i kushtueshëm në Europë

Fitorja e tre titujve në sezonin e fundit ka rritur vlerën në treg të Manchester Cityt.

Skuadra angleze është edhe klubi më i kushtueshëm në Europë, duke dominuar totalisht renditjen speciale. Nën drejtimin e Pep Guardiolës, City është shndërruar totalisht, pasi pjesë e saj janë bërë lojtarët më të çmuar. Triumfi në Premier League, FA Cup dhe mbi të gjitha në Champions League e ka dërguar vlerën e Cityt në treg në rreth 1.1 miliardë euro.

Në 10 vendet e para dominojnë skuadrat angleze, ku përfaqësohen me 5 ekipe, 2 spanjolle, 1 italiane, gjermane dhe franceze. Pjesë e kësaj renditje speciale nga Premier League angleze janë klube si Arsenal, Chelsea, Manchester United dhe Liverpool, Bayern Munich gjendet në vendin e gjashtë me vlerë në treg 909 milionë euro, ndjekur nga Real Madrid me 870.5 milionë euro.

Pavarësisht shpenzimeve marramendëse, PSG nuk bën diferencën as në renditjen e vlerës në treg, duke u gjendur në vendin e 8-të me 803.7 milionë euro. Vlera e skuadrës së Barcelonës është ndalur në 799 milionë euro, ndërsa Serie A përfaqësohet me Napolin, që pas titullit kampion vlen 640.5 milionë euro.