Publikohet raporti i DASH për Shqipërinë: Gjyqësori problematik dhe presioni i qeverisë ndaj medias po pengojnë vendin
Nga Replika.al
Raporti i Dash – Qeveria presion medias
Gjyqësori problematik në çështjet e integritetit dhe pavarësisë, mediat e pavarura thuajse inekzistente dhe korrupsion endemik ne qeverisje, organet e zbatimit të ligjit dhe institucionet lokale. Këto ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit që shkoi, sipas Raportit të përvitshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në lidhje me gjyqësorin, në Raport thuhet se ndonëse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan këtë të fundit të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.
Media
Një vëmendje të veçantë ju kushtua edhe mediave. Sipas gjetjeve trysnia ndaj saj është e madhe. Konkretisht thuhet se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale përpiqen të ndikojnë në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”. Dallimin e bëjnë mediat e internetit të cilat janë shumë të përhapura dhe përfaqësojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh.“Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike”, thuhet në raport. Departamentit i Shtetit thotë, gjithashtu, se ka pasur raporte të besueshme, sipas së cilave, përfaqësuesit e lartë të mediave përdornin organet e tyre për të ushtruar shantazh ndaj bizneseve, duke i kërcënuar ato me pasqyrim negativ. Po sipas Departamentit të Shtetit, raporti i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021 vlerësoi se gazetarët mbetën të pambrojtur ndaj presionit dhe korrupsionit. Duke iu referuar këtyre zgjedhjeve, në raport thuhet se sipas Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve megjithëse zgjedhjet në përgjithësi ishin të organizuara mirë, “partia në pushtet siguroi avantazhe të rëndësishme nga fakti i të qenit pushteti i saj, nga kontrolli mbi administratat vendore dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative”.Raporti përmend gjithashtu përfitimin që shumica siguroi nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media, si edhe pretendimet e besueshme për blerje të përhapura të votave nga partitë politike dhe nxjerrjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave të ndjeshme personale.
Korrupsioni
Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private.
Të drejtat e grave
Duke folur për të drejtat e grave, raporti vë në dukje se qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive kur bëhet fjalë për përdhunimet.Po ashtu raporti thekson se autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna për ndjekjet penale për rastet e përdhunimit bashkëshortor. Koncepti i përdhunimit nga bashkëshorti nuk është kuptuar mirë dhe autoritetet shpesh nuk e konsiderojnë atë si krim, thuhet në raport.Megjithëse ligji e ndalon ngacmimin seksual, zyrtarët rrallë e zbatuan detyrimin që rrjedh nga ky ligj, sipas raportit.