Publikohet LISTA/ Mijëra shqiptarë mes emigrantëve të paligjshëm që do të dëbohen nga Amerika

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ndezur një debat të gjerë mbi politikat e imigracionit, duke u përqendruar kryesisht në dëbimet masive të emigrantëve të paligjshëm. Raportimet e fundit sugjerojnë se, mes 1.4 milionë personave që kanë urdhra përfundimtarë dëbimi, janë gjithsej nga 1,874 deri në 2,300 shqiptarë.

Këto shifra, të publikuara nga gazetarja e njohur Serwaa Amihere, tregojnë se Shqipëria është një nga vendet më të prekura nga politikat e reja të administratës Trump, e cila ka intensifikuar operacionet e Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe ICE për zbatimin e urdhrave të dëbimit.

Administrata Trump ka miratuar një qasje të ashpër kundër emigracionit të paligjshëm, e cila mund të ketë një ndikim të konsiderueshëm në komunitetin shqiptar në SHBA, sidomos për ata që kanë qëndruar për vite me status të pasigurt. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të zbatohet kjo politikë në praktikë dhe çfarë mundësish do të kenë ata që preken nga këto masa.