Publikimi i tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, reagon Ministria e Arsimit: Akt i shëmtuar, por nuk cenohet provimi

Pas publikimit të tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, Ministria e Arsimit ka reaguar duke e konsideruar si një  akt të shëmtuar fotografimi, por nuk e cenon provimin.

Në një njoftim zyrtar MAS tha se janë  marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë. Publikimi i tezës së provimit të lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, pas fillimit të procesit të testimit nuk e cënon aspak ecurinë dhe besueshmërinë e procesit të provimit të Maturës Shtetërore.

Rreth 27 mijë maturantë, në 145 qendra provimi në të gjithë vendin, po zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kushte të qeta dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të parashikuara në rregulloren e Maturës.

Institucionet arsimore, në bashkëpunim me MAS-in, mbeten të angazhuara për të ofruar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për çdo maturant.