PSG shpartallon Real Madrid! Sfidon Chelsea për titullin Botëror
Një paraqitje madhështore nga Paris Saint-Germain ka bërë jehonë në botën e futbollit.
Në një ndeshje gjysmëfinale spektakolare të Kupës së Botës për Klube, skuadra e Luis Enrique mposhti bindshëm Real Madridin me rezultatin 4-0 në stadiumin MetLife, duke siguruar një vend në finalen e madhe përballë Chelseas.
Parizienët vendosën fatin e takimit që në pjesën e parë, me dy gola nga mesfushori spanjoll Fabian Ruiz dhe një tjetër nga Ousmane Dembélé. Në fundin e pjesës së dytë një goditje e saktë nga Gonzalo Ramos vulosi gjithçka.
Dominimi ishte i padiskutueshëm, ndërsa madrilenët dukeshin të hutuar dhe të çrregullt në të gjitha repartet.
Gabimet individuale të Asensios dhe Rudiger u shfrytëzuan në mënyrë klinike nga PSG-ja, e cila tregoi shpejtësi, organizim dhe një qartësi taktike që befasoi skuadrën e Xabi Alonsos. Real Madridi, me gjithë përpjekjet për të reaguar në pjesën e dytë, nuk arriti kurrë të rikthehej në lojë.
Me këtë fitore, Luis Enrique tashmë ka mundësinë të fitojë trofeun e tij të pestë sezonal, pas triumfeve në Ligue 1, Kupën e Francës, Superkupën Franceze dhe Ligën e Kampionëve. Kupa e Botës për Klube mund të jetë qershia mbi tortë për një sezon historik të PSG-së, teksa në finale do sfidojë Chelsea.