“Pse u harxhuat kaq shumë”? Rama replikon me komentuesit për bonusin e pranverës: A i jepni dot prindërve tuaj më shumë para nga sa fitoni?

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit në rubrikën e tij “Sy më Sy” në Facebook, pas pyetjeve dhe kritikave mbi bonusin e pranverës për pensionistët, i cili do të shpërndahet nga data 3 mars.

Një nga komentuesit i shkroi: “Pse u harxhuat kaq shumë?”, ndërsa Rama iu përgjigj:
“A i jepni dot ju prindërve tuaj më shumë lek nga sa fitoni nga puna? Patjetër që doni, po nuk i jepni dot, se e dini mirë se do hyni në borxh. Pensionistët e kuptojnë më mirë se të gjithë vlerën e kësaj përpjekjeje të sinqertë.”

Një tjetër ndjekës e akuzoi për “bonus votash”, por kryeministri e mohoi, duke thënë:
“Votën e pensionistëve unë e kam pasur dhe e kam si vlerësim për punën. Ata janë njerëz që kanë jetuar me punë dhe e dinë vlerën e saj. Po përpiqemi të kurojnë plagët e së shkuarës me reformën e re dhe bonuset, por pa krijuar një piramidë tjetër si ato të Sudes, Rrapushit dhe bufit të kënetës.”

Sipas qeverisë, ky bonus është një mbështetje e përkohshme për pensionistët, ndërsa reformat e reja synojnë të sigurojnë një skemë më të qëndrueshme pensioni në të ardhmen.