DOKUMENTI/ Pse u fsheh sulmi mbi “One Telecommunication”! Lidhjet e kompanisë me vëllezërit Erion dhe Arbër Veliaj
Shtatë persona u proceduan penalisht nga policia pasi mbrëmjen e 25 dhjetorit 2024, fshehën dhe nuk raportuan në organet kompetente sulmin mbi godinën kryesore të “One Telecommunication” ku ndodhen serverat qendrorë të kompanisë si për komunikimet, edhe për financën e kompanisë.
Bëhet fjalë për:
Erald Sina, me detyrë Drejtues Departamenti i Zyrave dhe Pasurisë në kompaninë ONE
Gentian Koçi, punonjës i sigurisë fizike në kompaninë ONE
Arsil Feshti, me detyrë punonjës sigurie të brendshme në kompaninë ONE
Alfred Zylalaj, me detyrë Drejtues Teknik i kompanisë Nazeri 2000
Gëzim Sala, punonjës shërbimi në SHPSF Nazeri 2000
Koço Veneti
Myzafer Dinoshi, i dënuar, punonjës shërbimi në SHPSF Nazeri 2000
Ismet Tartari, punonjës shërbimi në SHPSF Nazeri 2000
SI NDODHI NGJARJA?
Tre persona me maska kanë hyrë në godinë në prezencë të rojeve të sigurisë, kanë thyer disa kompjutera, teksa mbetet mister arsyeja e kësaj ngjarje. Por dyshimet e forta janë që ngjarja ka ndodhur pikërisht në kulmin e zhvillimeve që vinin nga Prokuroria e Posaçme, ku në kushtet kur kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i vëllai i tij Arbër Veliaj dhe vetë kompania “One” po hetohen për afera të pista. Kjo ngjarje e dëmtimit apo heqjes së serverëve, në vetvete dhe mos reagimi i institucioneve e mos bërja publike e faktit ngre dyshimin që vërtet po tentohet t’i fshihet diçka SPAK-ut. Për më tepër, asnjë masë administrative nuk është marrë ndaj kompanisë së sigurisë dhe stafit të saj çka shton edhe më shumë bindjen se ky akt i papreçedentë ka ndodhur me marrëveshje mes-palëve dhe me porosi të vetë niveleve drejtuese të kompanisë “One”!
Vlen të kujtojmë se në kompaninë “One Telecomunication” punojnë edhe disa familjarë të njerëzve të veshur me pushtet dhe të gjitha të dhënat të çojnë në dyshimin se po përpiqen të fshehin provat ndaj institucionit të akuzës, SPAK.
POR ÇFARË LIDHJE KA VELIAJ?
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton marrëdhëniet mes kompanisë “One Communication” dhe “Gogel”, e cila drejtohet nga Arbër Veliaj. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizime apo ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga ana e Veliajt për të siguruar kontrata.
Sipas dokumentave hetimore, kompania “One” paguan Arbër Veliajn për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni. SPAK ka zbuluar se një kompani sigurimi dhe “One Communication” kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me “Gogel” në vlerë prej 5 milionë eurosh.
“Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.
Në vijim, në vendimin e Gjykatës së Posaçme jepen detaje të përfitimeve që ka marrë kompania “One” nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliaj. Një tjetër aspekt i hetimit lidhet me transfertat financiare që kompania “Gogel” ka bërë drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën. Sipas të dhënave të SPAK-ut, kompania “Partner Law” ka përfituar 100 mijë euro për shërbime të dyshuara si fiktive, qendra BYLA ka marrë 20 mijë euro, ndërsa një studio në pronësi të nënës së Xoxës ka përfituar 74 mijë euro. Në total, bëhet fjalë për 200 mijë euro të transferuara nga “Gogel” për Ajola Xoxën.
Hetimet e SPAK-ut vijojnë për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj skeme dhe për të përcaktuar shkeljet ligjore.