PSD bojkoton Këshillin Bashkiak të Shkodrës! Akuzon Benet Becin dhe gruan e tij për lidhje me privatizimin e plazhit të Velipojës
Partia Social Demokrate në Shkodër ka bojkotuar për herë të dytë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke kundërshtuar hapur një nga pikat e rendit të ditës, atë që parashikon kalimin e administrimit të plazhit të Velipojës në një shoqëri aksionere të quajtur “Bio Strajca sh.a”.
Sipas PSD-së, kjo kompani lidhet direkt me bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, duke ngritur shqetësime për konflikt interesi dhe tentativa për privatizim të një pasurie publike. Në deklaratën për shtyp, PSD e cilëson veprimin si përpjekje për përvetësim dhe mungesë transparence në menaxhimin e hapësirave publike.
DEKLARATE PER SHTYP
Shkodër, më 6 maj, 2025
Partia Social Demokrate, dega Shkoder
PSD nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës më 7 maj, vetëm katër ditë para zgjedhjeveparlamentare, ku përveç ndihmës sociale prej 6%, Benet Becikërkon të kalojë në administrim plazhin e Velipojës shoqërisë aksionare të bashkisë Shkodër “Bio Strajca sh.a” dhe më pasnjë kompanie të lidhur me bashkëshorten e tij.
Ne nuk kushtezojmë askënd dhe jemi të gatshëm të votojmë ndihmën sociale më 13 maj, pas zgjedhjeve, por nuk bëhemi palë me korrupsionin e Benet Becit.
Benet Beci kërkon t’u grabisë qytetarëve hapësirat publike në Velipojë dhe t’i kthejë me pagesë, kaq i pangopur është. Ne si PSD do ta denoncojmë dhe do kërkojmë hetim për çdo tenderim të dyshimtë.
PSD nuk bën kompromis me abuzimin dhe kapjen e pasurive publike nga ana e kryebashkiakut Beci.
Mbetemi të palëkundur në mbrojtjen e interesit publik dhe jemi të vendosur të jemi zëri i qytetarëve dhe jo fasada e marrëveshjeve të fshehta politike apo familjare të kryetarit të bashkisë.
Ne ritheksojmë se jemi në mbështje të familjeve në nevojë të cilat janë thelbi i programit të PSD në këto zgjedhje dhe po ashtu jemi të gatshëm që ta votojmë kurdo herë pas 11 majit fondin 6% të ndihmës sociale.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Bashkia Shkodër përmes një deklarate zyrtare. Kryetari Benet Beci ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur pretendimet e PSD-së si pjesë të një fushate elektorale të ulët. Ai akuzon këtë forcë politike se ka marrë peng vendime të rëndësishme për qytetin, përfshirë rikonstruksionin e Kinemasë “Republika” dhe ndihmën ekonomike për familjet në nevojë.
“Arsyeja e vërtetë e bllokimit është frika nga mbështetja e përditshme që po rritet për Partinë Socialiste,” – thuhet në reagimin e Bashkisë, ndërsa shtohet se qytetarët e Shkodrës do të japin përgjigjen e tyre në votimet e 11 majit.
DEKLARATË PËR SHTYP
ZYRA E MEDIAS BASHKIA SHKODËR
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, hedh poshtë kategorikisht pretendimet e subjektit politik PSD për bllokimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Fushata elektorale e këtij subjekti ka marrë peng ndihmën ekonomike për familjet në nevojë dhe procesin e mirëadministrimit e hapësirave publike të plazhit të Velipojës. Një tjetër vendim i bllokuar nga vota e PSD në Këshillin Bashkiak është rikonstruksioni i plotë i Kinemasë “Republika”.
Arsyeja e vërtetë dhe e vetme pas këtij veprimi është e qartë: mbështetja në rritje të përditshme për skuadrën e Partisë Socialiste. Qytetarët e Shkodrës do të japin gjykimin e tyre me votë më 11 maj.