PS siguron mandatin e katërt qeverisës, ‘rrëmben’ 83 deputetë! PD mbetet me 50, partitë e vogla marrin 7

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) ka siguruar një fitore të thellë në zgjedhjet e 11 majit, duke garantuar mandatin e saj të katërt qeverisës me 83 deputetë. Sipas rezultateve të deritanishme, PS ka grumbulluar 775,226 vota, që përbëjnë 52.3% të votave në shkallë kombëtare, duke u renditur e para me një shumicë të qartë.

Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) ka marrë 503,593 vota ose 33.9%, duke siguruar 50 mandate në Parlament. Ndërkohë, partitë e vogla kanë arritur të sigurojnë 7 mandate, duke përfshirë Nisma Shqipëria Bëhet me 56,036 vota (3.8%), Partinë Socialdemokrate me 48,352 vota (3.3%), Partinë Mundësia me 45,766 vota (3.1%) dhe Lëvizjen Bashkë me 22,311 vota (1.5%).

Rezultatet sipas partive pjesëmarrëse në zgjedhje:

  • Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) – 775,226 vota – 52.3%
  • Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) – 503,593 vota – 33.9%
  • Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) – 56,036 vota – 3.8%
  • Partia Socialdemokrate (PSD) – 48,352 vota – 3.3%
  • Partia Mundësia – 45,766 vota – 3.1%
  • Lëvizja Bashkë – 22,311 vota – 1.5%
  • Koalicioni Euroatlantik (KEA) – 19,993 vota – 1.3%
  • Koalicioni Djathtas për Zhvillim (DZH) – 5,728 vota – 0.4%
  • Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (AKSH) – 3,189 vota – 0.2%
  • Lëvizja Atdheu (LA) – 2,163 vota – 0.1%
  • Partia Aleanca Demokracia e Re (ADR) – 1,084 vota – 0.1%