PS ndez motorët e fushatës! Rama publikon orën dhe vendin e mitingut
Partia Socialiste do të çelë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit me një miting të madh më 12 prill, në orën 12:00, në Sheshin Skënderbej. Kryeministri Edi Rama e bëri publik njoftimin përmes një postimi në rrjete sociale, duke i dhënë simbolikë të veçantë kësaj date, që sipas tij lidhet me 12 qarqet, 12 yjet e flamurit të BE-së dhe orën 12:00.
“12 prill nga 12 qarqe, rreth 12 yjeve të Europës, në orën 12:00, familja jonë e madhe politike mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv ‘Shqipëria 2030 në BE’”, shkruan Rama, duke nënvizuar synimin për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian brenda mandatit të katërt qeverisës.
Ndërkohë, një ditë më herët, më 11 prill, opozita do të zhvillojë mitingun e saj të parë për hapjen e fushatës zgjedhore. Sali Berisha njoftoi se Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të mblidhen në sheshin “Nënë Tereza”, në orën 19:00.
“11 prill, ora 19:00, në sheshin ‘Nënë Tereza’, nisim rrugëtimin drejt fitores”, shkroi Berisha në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale.