PS mori mbi 61% të votave të diasporës, Rama falënderon emigrantët shqiptarë nëpër botë: Ju bashkuat trenit të fitores, mesazhi juaj…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas rezultatit të votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 majit, ku Partia Socialiste siguroi mbi 61% të votave nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen për qytetarët shqiptarë nga Greqia, Italia, Amerika, e çdo cep të Europës dhe botës, të cilët – sipas tij – iu bashkuan “treni të fitores”, duke e bërë atë edhe më domethënëse.

Rama theksoi se kontributi i diasporës nuk është thjesht numerik, por përfaqëson një mesazh të fortë politik e qytetar që forcon angazhimin e mazhorancës për të çuar përpara projektin “Shqipëria 2030 në BE”.

“Mirëmëngjes 😊 dhe me një falënderim krejt të posaçëm për shqiptarët që nga Greqia, Italia, Amerika, e çdo anë e Europës dhe botës që iu bashkuan trenit të fitores duke e bërë atë edhe më domethënëse, jo thjesht për nga numrat, por në radhë të parë për nga mesazhi i fuqishëm i shumicës së tyre dërrmuese, i cili do të na bëjë edhe më të përkushtuar për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj një ditë të mbarë🖐️”, shkruan Rama.