PS kryeson në Elbasan, Sara Mila më e votuara me mbi 10 mijë vota, PD rrezikon një mandat

Në Elbasan janë numëruar 313 nga 508 kuti votimi, ku sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, kandidatja më e votuar deri më tani është Sara Mila me 10,693 vota.

Në listën fituese për Partinë Socialiste janë gjithashtu Saimir Hasalla me 6,126 vota, Aulona Bylykbashi me 4,942 vota, Olsi Komici me 4,796 vota dhe Shkëlqim Bullari me 3,741 vota. Jashtë listës së deputetëve të PS-së deri më tani mbeten Luan Duzha, Desantila Tahiraj dhe Florenc Spaho.

Ndërkohë, Partia Demokratike pritet të çojë katër nga pesë deputetët e listës së mbyllur në Kuvend, përfshirë Tomor Alizotin, Edmond Haxhinaston, Klodiana Çapjan dhe Blendi Himçin, ndërsa Aurel Bylykbashi mbetet jashtë.

Sa i përket votave preferenciale për PD-në, Qani Xhafa kryeson me 3,767 vota, i ndjekur nga Dritan Cani me 3,021 vota, Ilirjan Alliu me 2,623 vota dhe Dashamir Xhika me 2,299 vota.

Kujtojmë se në vitin 2021, ndarja e mandateve në qarkun e Elbasanit ishte 6 për PD dhe 8 për PS.

Procesi i numërimit në këtë qark është ndërprerë përkohësisht për shkak të lodhjes së numëruesve dhe pritet të rinisë në orën 12:00.