PS kërkon shtyrjen e seancës, debate në Konferencën e Kryetarëve! Bardhi e Tabaku përplasje me Spiropalin
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, pas kërkesës së Partisë Socialiste për të shtyrë seancën plenare të Kuvendit të parashikuar për t’u mbajtur më 12 qershor. Kërkesa është bërë nga ministrja Elisa Spiropali, por është kundërshtuar me forcë nga përfaqësuesit opozitarë, të cilët e konsideruan atë të paarsyeshme dhe politike.
Gazment Bardhi ka reaguar me tone të forta ndaj kërkesës së mazhorancës:
“Ti rrugë të mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit. S’ka asnjë arsye të shtyhet seanca nga data 12 për në datën 16, sepse kjo është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaj, siç keni tentuar ta trajtoni në kohët e fundit.”
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku ka kritikuar gjuhën e përdorur nga Spiropali në këtë mbledhje, duke e konsideruar përçarëse dhe jo përfaqësuese të një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon integrimi.”
Tabaku theksoi gjithashtu se që prej marrjes së drejtimit të Kuvendit nga Spiropali, janë bërë hapa pas në disa procese të rëndësishme:
“Që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit, në Komisionin e Posaçëm dhe në procesin elektoral. Zgjedhjet janë kriteri dhe kushti i parë në të gjitha raportet e integrimit, dhe ky kriter është shkelur në zgjedhjet e fundit.”