PS hap fushatën ”ekologjike” për vendoret e 14 majit/ Rama batuta me kundërshtarët dhe me të vetët
Partia Socialiste ka hapur ditën e djeshme fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Socialistët zgjodhën sheshin Skenderbej në kryeqytet për hapjen e fushatës. I pranishëm në ceremoni kreu i socialistëve Edi Rama shoqerohej nga 61 kandidatët për bashkitë në vend, deputet dhe simpatizant të kësaj force politike.
Ndyshe nga herë të tjera socialistët kishin zgjedhur një hapje fushate tejet modeste me fokusin tek mbjedhja e pemëve.
Nga “Parku Europa” pranë sheshit Skënderbej, kryeministri Edi Rama ka vendosur direktivat për zgjedhjet lokale të 14 majit. Në mes të sheshit ka ngulur një tabelë tek e cila shkruhet: Vetëm përpara, kurrë më mbrapa.
Pjesa e dytë e fjalisë ishte ngjyrë blu dhe e baltosur, ndërsa “përpara”, ishte në ngjyrë mavi dhe e shndritshme.
“Ne kemi ardhur në kohën më në fund kur punët tona po fillojnë të flasin për ne më shumë sesa fjalët dhe fjalët tona duhet të flasin shumë më shumë për njerëzit, për hallet dhe shpresat e tyre, për ekonominë e tyre, për të ardhmen tonë të përbashkët në Shqipëri, sesa për politikën e përditshme dhe aq më pak për kundërshtarët tanë të dëshpëruar. Natyrisht në një fushatë zgjedhore, nuk ka mundësi që të mos flasësh fare për ata që ke përballë dhe ne do ta bëjmë, por ju lutem me sa më shumë karar dhe pa harruar se njerëzit, përtej afërsisë me Partinë Socialiste presin prej nesh me plot të drejtë shumë më shumë sesa ç’mund të presin edhe vetë ata që janë shumë larg Partisë Socialiste prej atyre që kemi përballë dhe po me të drejtë them unë, njerëzit ne s’na falin as fijen e flokut, ndërkohë që atyre s’ua vënë më re as krejt lëkurën e ujkut sepse nuk kanë më asnjë forcë dhe asnjë vlerë, përveç forcës për të bërë dëm aty ku mund të gjejnë dhe vlerat negative që kanë krijuar dhe krijojnë për këdo që u beson.
Njerëzit i kanë lënë ata mbrapa sepse ata janë në fakt kufoma e një të shkuare që nuk bëhet më e ardhme në parafytyrimin e shqiptarit të zakonshëm, mjaft që ky i fundit mos jetë i indoktrinuar dhe i fanatizuar në pikën që as nuk sheh, as nuk dëgjon dhe as nuk do të kuptojë kur bie puna për tifozllëkun partiak.
Ndërsa ne jemi shëmbëlltyra e së tashmes, por që duhet t’u garantojë njerëzve parafytyrimin e tyre të së ardhmes. Një vend të sigurtë për fëmijët e tyre, me shërbime arsimore e shëndetësore të garantuara kudo në gjithë territorin ku ka familje e shkollohen fëmijë. Me drejtësi të drejtë, me mundësi ekonomike të gjithanshme, me paga gjithnjë e më të larta dhe punësim gjithnjë e më cilësor dhe në këtë rrugë sikundër folëm dhe më parë, ne jo vetëm duhet të ndihemi mirë kur ndajmë me njerëzit këtë rezultat fantastik të gjithë këtyre viteve, rritjen historike të pagave, por duhet të mos harrojmë asnjë sekondë që në çdo derë sipërmarrje, në çdo derë fabrike, në çdo derë ku punojnë shqiptarë e shqiptare, qytetarë dhe qytetare të këtij vendi të marrë në punë nga një privat, duhet të dëgjohet fjala jonë për të drejtat e këtyre punonjësve, për të drejtën që ata të paguhen ashtu siç ata e meritojnë dhe njëkohësisht duhet të dëgjohet fjala jonë për domosdoshmërinë që sipërmarrësit të kuptojnë sa s’është vonë, se nuk është më koha për tua kursyer punonjësve të tyre shpërblimin e mundit dhe të djersës që ata derdhin në kompani sepse kjo do të thotë që të përgatisësh symbyllur varrin e kompanisë e të mbesësh pa kapital njerëzor.
Njerëzit presin nga ne pikërisht këtë. Një vend dinjitoz i cili respektohet nga të tjerët botërisht, por dhe ku respektohen liritë dhe të drejtat e çdo njeriu.
Një vend ku mundi dhe djersa e çdo shqiptari shpërblehet me dinjitet dhe ku numri i atyre që kthehen nga emigracioni rritet vit pas viti, hap pas hapi, pak nga pak me durim, por me shumë vendosmëri dhe shumë angazhim.
Një vend i gjelbër, eksportues neto i energjisë, kampion i Ballkanit në turizëm dhe inovacion.
Me këtë projeksion të së ardhmes përpara syve si dhe me kujtimin e asaj Shqipërisë së telendisur ndërkombëtarisht kthyer në një vend të cilit nuk ia hidhte më sytë askush në fund, po dhe financiarisht në një gropë të cilën na u deshën vite për ta mbushur, izoluar, mbytur në borxhe dhe asfiksuar nga keqqeverisja e këtyre pengjeve të sotme dhe së shkuarës, atëherë ne mund të shohim shumë mirë dhe sa jemi ngjitur, por më e rëndësishme akoma, sa shumë duhet të ngjitemi për ta arritur atë majën e Shqipërisë 2030 që është detyrimi ynë ndaj brezave që vijnë.
Kemi plot për t’u thënë njerëzve në këtë fushatë fatmirësisht edhe në nivelin vendor pa diskutim falë gjithë atyre kryetarëve të bashkive tona që na japin mundësi të kemi gjëra për të folur sa të duash, por mos harroni edhe njerëzit kanë plot arsye për të qenë jo të kënaqur, shpesh të mërzitur, rëndom pa besim, pa motivim. Me ne, me mua, me ju të gjithë duke kërkuar më shumë, më shumë, më shumë, më shpejt, më shpejt, më shpejt, më mirë, më mirë, më mirë.
Ne duhet të bëjmë një fushatë në këtë sens të së vërtetës dhe me sa më pak zhurmë dhe sa më shumë komunikim dhe njerzillëk, prandaj dhe kemi vendosur ta përgjysmojmë minimalisht përdorimin e ekraneve të mëdha, të skenave pompoze, materialeve propagandistike. Do iu lutesha kryetarëve të bashkive, mundësisht jo postera që ngjiten për mure në rrugët e qyteteve të tyre e pastaj ngelen aty dhe zbardhen dhe bien copa-copa si lëkurë e zgjebes. Ndotëse, të shëmtuara të mjedisit dhe të vetë imazhit të politikës. Nuk ka nevojë për atë.
Shkurt, duhet të bëjmë një fushatë zgjedhore me shumë më pak ndotje akustike. Të tjerët kanë arsyet e tyre të bërtasin. Të vënë kujën, të hidhen përpjetë. U hedhshin e mbetshin në ajër, ne jo!
Ne s’kemi arsye as për ndotje akustike, as për ndotje vizuale për të qenë në çdo cep, në çdo kthesë me fytyrat dhe me sloganet tona dhe as për ndotje gjuhësore dhe kështu, shkurtimin e shpenzimeve për propagandë elektorale, ne do ta kthejmë në një donacion pemësh për çdo bashki të vendit duke marrë pjesë edhe vetë në mbjelljen e tyre kudo ku kemi takime, sidomos tani në prill që është dhe pak a shumë muaji i fundit optimal për të mbjellë thuajse gjithçka.
E do e nisim sonte këtu me 61 pemë nga donacioni ynë për bashkinë e Tiranës dhe lali Eri që ka lindur me këmishë kuptohet dhe e duan të tërë, se nuk e duam vetëm ne që vijmë këtu dhe i dhurojmë pemë për fushatë, po e duan dhe ata që i dhurojnë rregullisht kandidatin më të lodhur, nuk e di si ndodh kjo. Madje këtë herë, i kanë gjetur një kandidat që duket sikur ka humbur fizarmonikën. Mua kështu më duket. Shikojeni për shembull kur thotë “Do ju bëj transport falas”. Mua më duket tamam sikur thotë “Po më gjetët fizarmonikën, unë do ju bëj një xhiro pa lekë”.
Nejse, të qeshim pak dhe ne të tjerët, të mos qeshë vetëm Lali sepse vërtetë kështu është ndarë kjo botë por ta marrim atë të qeshur që Lali do ta mbajë gjithmonë për vete.
61 pemë do të mbjellim këtu për 61 bashkitë dhe si këtu, kudo do të ndjejmë, do mbeten mijëra e mijëra të tjera. Ndërkohë që, fushata do jetë harruar dhe vetëm një fakt do kujtohet statistikisht, kur Pandi të jetë President Nderi i Partisë Socialiste, ne të tjerët të jemi në Sharrë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të jenë rreth tryezës që Pandi do ta drejtojë në ato ngjarjet solemne përvjetore do thotë që “Në vitin 2023, Partia Socialiste e fitoi për të 8-tën herë nga 9 palë zgjedhje dhe edhe gjyshërit e gjyshet tuaj ishin aty me mua”. Por, përtej kësaj asgjë nuk mbetet nga fushata dhe kjo do jetë fushata e parë që do lerë pas mijëra e mijëra pemë dhe kështu besoj do hyjë në historinë e re të zgjedhjeve si fushata e parë që fillon dekarbonizon procesin e përballjes politike. Vetëm përpara, kurrë mbrapa dhe kini besim që aq sa i flasin pemët qytetarëve, në të shumtën e herës, ne nuk arrijmë t’iu flasim dot,“-tha Edi Rama.