PS drejt finalizimit të listave për deputetë, Rama mbyll takimet me drejtuesit politikë

Kryeministri Edi Rama ka përmbyllur diskutimet me drejtuesit politikë të qarqeve në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Takimet nisën të dielën në mëngjes dhe vijuan deri në orët e pasdites, ku ndër pjesëmarrësit ishin Eduart Shalsi, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për kandidatët, pasi lista zyrtare do të miratohet më 12 mars në mbledhjen e kryesisë socialiste.

Ndërkohë, disa kryebashkiakë kanë shprehur interes për të kandiduar për deputetë, mes tyre Ervin Demo (Berat), Juliana Mema (Dimal), Tërmet Peçi (Tepelenë) dhe Agron Malaj (Mat).

Për listat e kandidatëve, Rama ka theksuar se do të ketë një përfaqësim të lartë të grave dhe vajzave, ndërsa për listën e hapur do të përfshihen eksponentë të PS-së me më shumë se dy mandate, të cilët do të duhet të garojnë për një vend në Parlament.