PS dhe PD mbyllin sot fushatën elektorale në Tiranë, ja mesazhi që përcjellin për qytetarët Rama dhe Berisha

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të mbyllin sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit, duke zhvilluar tubimet përfundimtare në Tiranë. Pas një muaji takimesh dhe mitingjesh qytet më qytet, dy partitë kryesore të vendit kanë zgjedhur vende të ndryshme për t’i dhënë fund fushatës.

Kryeministri dhe kreu i PS, Edi Rama, ka zgjedhur fushën e Parkut Olimpik për takimin përmbyllës, i cili do të nisë në orën 19:30. Në një mesazh në Facebook, Rama shkruan:

“Me falënderimin për mikpritjen e Vlorës dhe Durrësit, ju ftoj të shihemi sot në Tiranë, ora 19:30.”

Nga ana tjetër, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në mitingun përmbyllës që do të zhvillohet në Bulevardin e Ri, duke nisur në orën 19:00. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan:

“Sonte, ora 19:00 tek Bulevardi i Ri bashkohu përmbylljes së një rrugëtimi historik, drejt misionit për ‘Shqipërinë Madhështore’.”

Në tubimin e PD-së do të jetë i pranishëm edhe drejtuesi amerikan i fushatës, Chris LaCivita, i cili ka mbështetur strategjinë elektorale të demokratëve gjatë kësaj periudhe.