PS akuza Gjin Gjonit për incidentin në Dajç të Lezhës, Ulsi Manja: Kërcënimi me armë ndaj shtabit tonë e patolerueshme, rasti po hetohet nga SPAK

Partia Socialiste ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Dajç të Lezhës, ku pretendohet se familjarë dhe përkrahës të kandidatit të PD-së Gjin Gjoni kanë ushtruar presion dhe kërcënim me armë ndaj shtabit elektoral të PS dhe të afërmve të kandidates socialiste në këtë zonë.

Drejtuesi politik i PS në qarkun e Lezhës dhe njëherësh ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përmes një deklarate në rrjetin social Facebook, akuzoi Gjonin për nxitjen e klimës së dhunës në disa zona të veriut, duke përmendur konkretisht Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën.

“Kërcënimi me armë ndaj familjarëve dhe shtabit të kandidates sonë është i patolerueshëm dhe kërkon përgjegjësi politike dhe ligjore nga ana e Gjin Gjonit. Koha kur ai ndërtonte vendngjarjet me ‘çekiçin’ e drejtësisë së vjetër ka përfunduar me Reformën në Drejtësi,” u shpreh Manja.

Sipas tij, provat filmike dhe audio të incidentit tashmë janë dorëzuar në organet hetimore, dhe rasti ndodhet në juridiksionin e SPAK-ut, ndërsa garantoi se nuk do të lejohet asnjë manipulim apo zvarritje e hetimeve.

Manja shtoi se ngjarja i është komunikuar zyrtarisht edhe misionit të vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR, duke theksuar se Partia Socialiste është e vendosur për një proces zgjedhor të ndershëm, të lirë dhe të qetë.

Reagim për ngjarjen e rëndë në Dajç të Lezhës

Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates sonë për deputete, znj. Klotilda Ndreca, është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.

Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë së tij e jo të fshihet pas gishtit!

Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi. Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi.

Reformën në drejtësi dhe SPAK-un i ngritëm pikërisht për raste si ky – që askush të mos fshihet më pas pushtetit apo lidhjeve politike, por të jetë i barabartë përpara ligjit. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar.

Gjin Gjoni dhe kushdo tjetër që mendon si ai do të mbajnë përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e klimës së tensionuar dhe për prishjen e atmosferës politike në qarkun e Lezhës.

Sot kam informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë.

Për ne socialistët, kjo që po ndodh këto ditë të fundit me PD-në lokale dhe atë në qendër, është një film i vjetër që e kemi parë në 10 fushata me radhë. Fundin e dimë – jo vetëm ne, por çdo shqiptar. Dhe kështu do ndodhë edhe më 11 maj, mbajeni mend:
• Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin,
• Në mëngjes do fillojnë të varin veshët,
• Në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale,
• Në darkë do thonë: “Na i vodhën prapë!”

Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe! Më 11 maj, ne do t’i mundim për herë të dhjetë PD+ASHM & Co!

Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime.

Ne distancohemi qartësisht nga çdo akt dhune apo veprim antiligjor që cënon zgjedhjet e lira dhe kërkojmë nga institucionet kompetente të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim!“, shkruan Manja.