Protestë masive në Beograd: Mbi 100 mijë qytetarë paralizojnë kryeqytetin, bllokohet transporti tokësor dhe ajror
Beogradi është paralizuar nga një protestë masive e udhëhequr nga studentët dhe mbështetur nga mijëra qytetarë, të cilët kanë dalë në rrugë nën sloganin “15 për 15”, duke përkujtuar 15 viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Tubimi kryesor është parashikuar të mbahet para Parlamentit të Serbisë në orën 16:00, ndërsa një podium do të vendoset në sheshin Slavija. Për ditë të tëra, studentët kanë marshuar nga qytete të ndryshme të Serbisë drejt Beogradit, disa duke vrapuar, të tjerë me biçikletë apo në këmbë. Në kryeqytet janë pritur nga mijëra qytetarë, ndërsa protesta ka marrë vëmendje të madhe mediatike.
Kjo është protesta e katërt madhore në vend, ndërsa tubime të tjera vazhdojnë në qytete të ndryshme të Serbisë. Studentët kërkojnë llogaridhënie institucionale dhe luftë kundër korrupsionit, të cilin e konsiderojnë shkaktarin kryesor të tragjedisë.
Për të nderuar viktimat, qytetarët në mbarë Serbinë mbajnë çdo ditë një moment heshtjeje në orën 11:52, në kohën kur ndodhi shembja në Novi Sad, duke qëndruar të heshtur për 15 minuta – një për çdo viktimë.
Ndërkohë, transporti publik është kaotik, pasi shumë linja autobusësh janë anuluar. Në mëngjes, turma të mëdha protestuesish u mblodhën në katër pika kryesore, për t’u nisur më pas drejt qendrës së Beogradit.
Gjatë marshimit, janë raportuar incidente, përfshirë një rast ku një shofer tentoi të çante turmën me makinë, duke plagosur tre protestues. Policia ka arrestuar menjëherë autorin e sulmit.