Protesta pro-Ukrainës në SHBA pas përplasjes Trump-Zelensky
Pas debatit të ashpër mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, në SHBA kanë shpërthyer protesta masive në mbështetje të Ukrainës. Qindra qytetarë u mblodhën në Nju Jork, Los Anxhelos dhe Boston për të kundërshtuar qëndrimin e Trump ndaj Zelenskyt.
Protestuesit, të pajisur me pankarta pro-Ukrainës, u rreshtuan edhe në Waitsfield, Vermont, ku ndodhej për pushime zëvendëspresidenti amerikan JD Vance me familjen e tij. Mediat amerikane raportojnë se, për shkak të demonstratave, familja Vance u detyrua të largohej nga vendpushimi dhe të zhvendosej në një vend të pazbuluar.
Në Vermont, grupi Indivisible Mad River Valley organizoi një protestë kundër administratës Trump-Vance, e cila u mbajt pak para përplasjes së fortë të presidentit amerikan me Zelenskyn. “Debati në Shtëpinë e Bardhë ka nxitur edhe më shumë njerëz të dalin sot në protesta,” deklaroi aktivistja Judy Daly.
Gjatë takimit të tensionuar në Zyrën Ovale, Trump i kërkoi Zelenskyt të arrinte një marrëveshje me Rusinë, duke paralajmëruar se përndryshe SHBA mund të tërhiqej nga mbështetja për Ukrainën. Ai gjithashtu e kritikoi liderin ukrainas për mungesë mirënjohjeje ndaj ndihmës amerikane, duke i thënë se po “luante bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”. Zëvendëspresidenti Vance gjithashtu akuzoi Zelenskyn për mosrespektim dhe mungesë realizmi për situatën.
Zelensky pritet të takohet me liderët evropianë të dielën në një samit për luftën në Ukrainë, organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer.