Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetime për shkelje të rëndë ndaj katër zyrtarëve të Policisë dhe Gardës së Republikës, pasi ka konkluduar se Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ka marrë masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së 12 shkurtit, ditën e seancës gjyqësore të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se nën hetim janë:
• Idris Daulle, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës
• Ermal Gjoka, shef i forcave “Shqiponja”
• Dy punonjës të Gardës së Republikës
Sipas burimeve të AMP, ka pasur mungesë komunikimi mes Policisë së Tiranës dhe Gardës, duke çuar në dështimin për krijimin e një plani masash për tubimin e mbajtur jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
“Do të jetë një komision i posaçëm i AMP që do verifikojë rrethanat dhe do vendosë nëse do ketë masa ndaj zyrtarëve të përfshirë. Hetimet paraprake kanë konkluduar se kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë,” – raporton Bajraktaraj.
Hetimet për këtë rast u hapën pas kërkesës së SPAK dhe GJKKO, të cilët argumentuan se më 12 shkurt u cënua siguria e prokurorëve dhe gjyqtarëve.